Prej disa ditësh, lajmi se në treg qarkullojnë akullore me përmbajtje oksid etileni ka pushtuar mediat. Arben Shehu, kreu i KLSH-së tha gjatë një raportimi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se në vitin 2021 janë zbuluar markat e akulloreve që përmbajnë substancën e rrezikshme.
Për të sqaruar situatën, Yllka Kallaraj, eksperte e sigurisë ushqimore në AKU konfirmon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se produkti ka ardhur edhe në Shqipëri, por janë marrë masat e nevojshme ligjore.
Yllka Kallaraj: Për akulloren që u bë aq mediatike, bëhet fjalë për një produkt akulloreje që është importuar nga Franca në vitin 2021.
Aldo: 2021?
Yllka Kallaraj: Nëse bëhet fjalë për akulloren që është bërë mediatike dhe bëhet fjalë për praninë e substancës oksid etileni në akulloren që është importuar nga Franca në vitin 2021.
Aldo: Ku e mbajnë këta apo e mbajnë në frigorifer?
Yllka Kallaraj: Nuk ka fare sepse ky produkt nuk ekziston më.
Aldo: Te neve?
Yllka Kallaraj: Jo, jo absolutisht. Kjo kategori lloj produkti akullore i cili është konstatuar me prani të oksidit të etilenit i cili ky produkt është importuar nga Franca, nga operatorët e biznesit ushqimor shqiptar, AKU-ja në mënyrë të menjëhershme ka marrë masat sipas legjislacionit në fuqi.
Akulloret e importuara nga Franca u konstatuan fillimisht nga Spanja që përmes sistemit RAS njoftoi 47 shtete. Kallaraj thotë se AKU-ja ka marrë një email më 30 korrik 2021 dhe më pas ka ndërmarrë hapat për asgjësimin e produktit.
Yllka Kallaraj: Në vitin 2021 u bë verifikimi i operatorëve të sistemit ushqimor në magazinat qendrore, u ndoq gjurmueshmëria nga magazina qendrore se ku ishte shpërndarë ky produkt i cili ishte shpërndarë në të gjithë operatorët e biznesit ushqimor që tregtojnë akullore dhe në mënyrë të menjëhershme janë marrë masat për bllokimin e këtij produkti sipas loteve përkatëse sepse lotet ishin të identifikuara nga sistemi RAS dhe me ato lote, trupat inspektuese të drejtorive rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në këta operatorë të biznesit ushqimor, bënë verifikimin nëse e konstatuan gjendje e bllokuan, i lanë detyrë oepratorit të biznesit ushqimor për asgjësim dhe i gjithë ky produkt është asgjësuar./tvklan.al