Një 37 vjeçar i quajtur Sabit Haxhiaj është gjetur i pajetë në një stacion treni në Strasburg.
Siç raporton Rue89Strasbourg, i ndjeri me origjinë nga Kosova, flinte në një strehë që e kishte ngritur vetë. Mësohet se ai që kishte njoftuar autoritetet është një mik i tij, i cili kishte kaluar natën me të.
Teksa kanë nisur hetimet për ngjarjen, është ngritur shqetësimi lidhur me akomodimet urgjente të personave të pastrehë. Mediat e huaja shkruajnë se Haxhiaj kishte shkuar që fëmijë në Francë dhe ishte me banim të ligjshëm. Një punonjëse sociale e cila e njihte është shprehur e trishtuar për vdekjen e tij.
“Çdo ditë kemi rreth 20 njerëz që kërkojnë strehim dhe ne nuk arrijmë dot ta realizojmë për të gjithë”, ka thënë ajo.
Ndërsa deputetja Floriane Varieras, ka theksuar se “ky rast lidhet me temperaturat minimale dhe mungesën e një akomodimi nga ana e shtetit.”
Vetëm në periudhën Nëntor 2023-Nëntor 2024, 23 të pastrehë humbën jetën në Strasburg.
/tvklan.al