Që në mosha shumë të hershme fëmijët janë në kontakt me telefonin dhe pajisjet dixhitale, duke i bërë ata që të jenë më të ekspozuar ndaj rreziqeve gjatë lundrimit në internet. Një aspekt tjetër që po ngre gjithnjë dhe më shumë alarmin për rrezikun e fëmijëve janë dhe lojërat e ndryshme të cilat nxisin dhunë.
Mëngjesin e kësaj të hëne në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan të ftuarit folën rreth kësaj teme. Gazetari Benjamin Arifi tha se ndër platformat më të rrezikshme është Roblox, ku çdo përdorues i saj brenda pak sekondave mund të krijojë një lojë, por shpesh këto lojëra janë të pa kontrolluara.
“Roblox është një platformë në të cilën krijohen lojëra nga vetë përdoruesit pasi çdo person që përdor platformën mund të krijojë lojërat e tij. Pra është e decentralizuar pasi secili mund të krijojë një lojë me pak dije në sferën e aftësive kompjuterike. Kështu që është më e rëndë për ta kontrolluar dhe për ta moderuar, prandaj kemi dhe lojëra të dhunshme,” tha gazetari.
Më tej Benjamin Arifi tha se numri i përdoruesve në këtë platformë është alarmante duke marrë parasysh dhe moshën e fëmijëve të cilët e përdorin atë. Aspekt tjetër negativ që ekspozon fëmijët ndaj rrezikut është dhe bisedat që mund të zhvillohen mes lojtarëve, që në rastet më të shpeshta janë persona të panjohur dhe të paidentifikuar. Ky është konsideruar dhe si një faktor nxitës i pedofilisë dhe bullizimit online.
“Numri i përdoruesve të saj është rritur në të gjithë botën, kohëve të fundit dhe në Ballkan, ku sipas statistikave Roblox ka arritur 380 milionë përdorues në muaj kohët e fundit. Dhe me afrimin e sezonit të dimrit kur lojërat arrijnë pikun, besoj se ky rekord do të lihet mbrapa dhe do të ketë rekorde të reja. Ka disa prej lojërave që nuk janë aspak cilësore dhe promovojnë dhune në një farë mënyre dhe kalojnë pas asnjë modelim nga stafi i Roblox. Ka lojëra të tmerrshme duke marrë parasysh se mbi 58% e përdoruesve në Roblox janë nën moshën 16 vjeç, madje 21% janë nën moshën 9-vjeçare. Por, ka probleme të tjera Roblox pasi aty ka dhe “chat” mes lojtarëve dhe inkurajohet bashkëpunimi mes lojtarëve në lojëra të ndryshme, kjo po shfrytëzohet dhe nga pedofilët, apo ngacmues e bullizues online. Vetëm gjatë vitit të kaluar kishte mbi 13 mijë e 300 raste të lajmëruar për ngacmim online në platformën Roblox,” u shpreh Benjamin Arifi./tvklan.al