Pas alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për  rrezikun e përhapjes së gripit të derrave, autoritetet shqiptare kanë vendosur bllokimin e importit të mishit.  Në doganën e Durrësit inspektorët veterinarë kanë ngritur  një karantinë për të kontrolluar  dhe analizuar të gjitha produktet  me origjinë shtazore që hyjnë në Shqipëri.

Arben Ibroja: “Kemi marrë masat përkatëse, kuptohet me autoritetet përkatëse këtu që përgjigjen direkt siç është DBU-ja për bllokimin e çdo lloj ngarkesë që do të vijë me mish dhe këqyrjen e vendit të origjinës, marrjen e masave, analizave përkatëse për këtë qëllim, pavarësisht vjen apo nuk vjen nga Meksika.”

Po ashtu masa të rrepta për kontrollin e importit të mishit janë vendosur edhe në doganat e Vlorës, Hanit të Hotit, Kapshticës, Kakavijës dhe Qafë Botës. Deri më tani nga analizat e kryera në pikat tona kufitare nuk ka rezultuar asnjë problem me mishin e importuar. Nisur nga vlerësimet e Organizatës botërore të Shëndetësisë për shkallën e përhapjes së pandemisë, Komiteti i Ekspertëve pranë Ministrisë shqiptare  të Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim që ngarkon të gjithë inspektorët e sanitarë pranë pikave kufitare të zbatojnë rregulloren e ndërkombëtare të Shëndetit për luftën kundër sëmundjeve infektive.

Sipas udhëzimit prej 12 pikash të gjithë udhëtarët  që do te kalojnë kufirin shqiptar do të pyeten nëse kanë qenë në zonat e prekura nga Gripi i Derrit ndërkohë që çdo Inspektor Sanitar duhet të sigurohet që pranë pikës së kontrollit të ketë  mjete të mbrojtjes personale si maska, doreza dhe dezinfektantë. Sipas statistikave  që prej 15 prillit  vetëm nga aeroporti i Rinasit në Shqipëri kanë hyrë 33 mijë persona, të cilët për nga vendet që vijnë mund të bëhen bartës të mundshëm të virusit H1N1./tvklan.al