Diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong-un po planifikon të lëshojë një tjetër raketë balistike, një ditë pas testimit të bombës me hidrogjen që shkaktoi tërmet 6.3 ballë.
Lajmi është bërë i ditur nga Koreja e Jugut. Mëngjesin e sotëm, Seuli zyrtar njoftoi se ka zbuluar shenja që Koreja e Veriut është duke u përgatitur për të kryer një tjetër testim, të lëshojë një rakete balistike ndërkontinentale.
Për herë të fundit, shteti komunist lëshoi raketë balistike të martën e kaluar duke alarmuar ndërkombëtarët. Raketa kaloi mbi Japoni dhe u rrëzua në Oqeanin Paqësor.
Ndërkohë, natën e kaluar, ushtria e Koresë së Jugut zhvilloi një stërvitje duke simuluar një sulm në vendin bërthamor të Veriut, duke arritur “caqet e përcaktuara në Detin Lindor”.
SHBA paralajmëroi se mund të nisë një “reagim masiv ushtarak” ndaj çdo kërcënimi nga Koreja e Veriut pasi shteti komunist kreu testin më të fuqishëm bërthamor.
/tvklan.al