Ekspertët britanikë: Të mos u krijohen lehtësira deri në vaksinimin masiv
Të vaksinuarit mund të vazhdojnë të jenë përhapës të koronavirusit tek të pavaksinuarit. Në këtë përfundim arrijnë ekspertët e virologjisë në Britaninë e Madhe, të cilët i bëjnë thirrje qeverisë së këtij vendi të mos i përjashtojnë ata nga masat e ashpra të frenimit të përhapjes.
Zv. drejtori i shërbimit mjekësor britanik Jonhatan Van Tam tha në një intervistë për mediat britanike se është ende herët për të folur për një ndikim të qartë të vaksinës tek bartja e virusit. Sipas tij, asnjë vaksinë nuk është 100% e sigurt.
Ekspertët thonë se imuniteti i krijuar pas vaksinimit lehtëson maksimalisht simptomat e infektimit nga koronavirusi. Vaksinat ofrojnë shpresë se shkalla e infektimit do të nisë të ulet, në varësi të ritmeve të procesit të vaksinimit. Deri më tani 75% e të moshuarve mbi 80 vjeç e kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Ritmet më të shpejta në botë të vaksinimit i ka Izraeli, ku një muaj pas nisjes së vaksinimit janë imunizuar më tepër se ¼ e popullsisë.
Ndërsa nëpër Evropë, ritmet janë shumë të ulta pasi firma Pfizer ka pezulluar përkohësisht furnizimin me doza deri në hapjen e fabrikave të reja. Vende si Italia kanë reaguar ashpër duke kërcënuar këtë firmë me procese gjyqësore për shkelje të afateve të kontratave.
Tv Klan