Bino: Janë pika grumbullimi që shndërrohen në vatra të virusit
Shqipëria është vendi i fundit jo vetëm në Europë por dhe në rajon në marrjen e masave shtesë kundër përhapjes së rasteve të infektimit me Covid-19.
Ka të paktën tre ditë që zyrtarë të shëndetësisë dhe epidemiologjisë paralajmërojnë marrjen e këtyre masave, dhe si rast konkret kanë theksuar mbylljen e lokaleve në ish-Bllok në kryeqytet. Por ndërkohë asnjë bar, restroant apo njësi shërbimi që mbledh turma të mëdha njerëzish nuk është mbyllur.
Masa të cilat u morën në pjesën më të madhe të Europës por dhe në Kosovë, Maqedoni e gjetkë në rajon. Rritja e rasteve të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirus prekën një tjetër pikë kulmore këtë të dielë, dhe shkak mund të jetë edhe hezitimi i mbylljes së menjëhershme të bareve, restoranteve, diskove e lokaleve të tjera.
Silva Bino, shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik e pohon këtë rrezik.
“Do të diskutohet, shume gjëra janë diskutuar, jo te prek popullatën por të kufizohen ato mjedise që rrisin transmetimin e rasteve me COVD, disa lloj mjedisesh, si baret dhe restorantet apo ku pihet dhe ku ka me tepër grumbullime sidomos grumbullime të rinjsh janë vende ku kemi përhapje të virusit”.
Edhe pse shifrat u rritën ndjeshëm në Tetor, ndërsa ekspertët paralajmërojnë shtimin e viktimave dhe të të prekurve gjatë Dimrit, sërish masat shtesë mungojnë.
Shqipëria po përgatitet për të futur testin e shpejtë të antigeneve, i cili do të tregojë brenda pak minutave nëse kemi të bëjmë me koronavirus apo jo.
“Ato do të jenë teste të rëndësishme gjatë hetimit epidemiologjik në terren dhe kryhet për një periudhë të shkurtër kohe dhe menjëherë pasi merr rezultatet vendoset në bazë të udhëzimit do kryhet PCR apo jo”.
Aktualisht në vendin tonë përdoret vetëm PCR si test për të përcaktuar nëse një person është prekur apo jo nga koronavirusi.
Tv Klan