Punimet për ndërtimin e “Arenës Kombëtare” dhe shfaqja e disa fotove nga çmontimi i fasadës historike të “Qemal Stafës” alarmuan Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe jo vetëm.
Shqetësimi u shoqërua me komentin
“ja ku kanë përfunduar basoreliefet me gjithë stadium me status monument kulture”.
Dekani i Fakultetit të Arteve pamore, Ardian Isufi, e cilësoi si katastrofë, duke thënë se, të prishësh fasadën e stadiumit “Qemal Stafa” është si të prishësh e asgjësosh një fëmijë të brishtë, ndërsa Artan Lame postoi një ndjesë publike, shoqëruar me fasadën ballore të stadiumit siç ajo ka qenë në kohën e komunizmit.
Televizioni Klan ishte në kantierin e ndërtimit të stadiumit të ri, ku ishin stivuar një pjesë e gurëve të fasadës, të cilët do integrohen në projektin e ri të stadiumit. Dy basoreliefet që i janë shtuar fasadës në kohën e komunizmit, për të cilat pati reagime janë lëvizur nga objekti. Kjo pasi ato nuk kanë qenë pjesë e projektit për riaftësimin dhe integrimin e fasadës ekzistuese të stadiumit “Qemal Stafa”, që prej fillimit.
Në një reagim lidhur me këtë çështje, Instituti i Monumenteve të Kulturës thotë se në punën për çmontimin e fasadës po zbatohet pikë për pikë projekti origjinal i Gherardo Bosio -s, miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, në datën 2 Korrik 2016.
Këtë e konfirmoi edhe Kryeministri Edi Rama, që në një postim të shoqëruar pikërisht me foto nga heqja e basorelievëve, komentoi se në vend të dy mballomave vulgare prej betoni, do të realizohen dyert e parashikuara e të dizenjuara në projektin origjinal. Më tej, kreu i qeverisë shkruajti se ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit, e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore.
Tv Klan