Albert Dervishi është komanduar nga Ministri i Rendit, Igli Toska, drejtor i policisë për Tiranën. Menjëherë pas largimit të Pjerin Ndreut, drejtimi i bluve të qarkut Tiranë, i kalon nëndrejtotit të Akademisë së Rendit. Dervishi është një nga oficerët e karrierës në polici, i cili më parë ka punuar si shef krimesh në disa komisariate, drejtor i rendit në ministri e më pas pedagog dhe kancelar në Akademinë e Rendit. Komandimi i Dervishit është bërë menjëherë pas mbledhjes, ku është analizuar puna e Drejtorisë së Policisë për Tiranën. Pjerin Ndreu nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, e cila është drejtuar nga zv/drejtori i policisë së shtetit, Fadil Cani dhe zv/ministri i rendit, Thoma Jano. Si rrallëherë në historinë e analizave për policinë e kryeqytetit, kamerat nuk janë lejuar të pasqyrojnë analizën dhe shifrat e punës së një viti. Mbledhja ka vijuar për rreth tre orë ku janë kritikuar mjaft nga oficerët e policsë së Tiranës dhe janë marrë në analizë ngjarje kriminale të një viti. Pas ndryshimit të kreut të Policisë së Tiranës, pritet furtunë dhe ndryshime edhe në mjaft nga drejtuesit e komisariateve dhe sektorëve./tvklan.al