Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi e quan të pavlefshme vendimin e kryesisë së Partisë Socialiste, që ndryshimet në qeveri të bëhen vitin e ardhshëm , pasi sipas tij është periudhë zgjedhjesh.

Skënder Gjinushi: “Vitin e ardhshëm dhe pas zgjedhjeve dihet që do ketë ndryshime, në qeveri, sepse në 2005 janë zgjedhjet politike në vend, problemi shtrohet, se si do shkohet deri në këto zgjedhje dhe nevoja për ndryshim është ndjerë edhe më parë dhe gjithmonë për ndryshime jo thjeshtë për të rregulluar raportin midis aleatëve, as për ekuilibra brenda PS, por për të përmirësuar qeverisjen. Nuk pajtohem shumë me idenë e vitit të ardhshëm nuk ka kohë për vitin e ardhshëm, sepse viti i ardhshëm është viti zgjedhor, Ne duhet të bëjmë ato përmirësime që duhen dhe që janë vlerësuar me kohë si të nevojshme.”

Gjithashtu domosdoshmërinë e ndryshimeve e shohin edhe dy aleatët e tjerë të PS, Milo dhe Xhuveli.

Paskal Milo: “Nuk është fjala këtu që zoti Milot të bëhet ministër, këtu është fjala që të ndërtohen raporte të drejta midis PS dhe Demokracisë Sociale, raporte që do të kenë parasysh dinjitetin dhe personalitetin e subjekteve politike, që futen në marrëveshje dhe që nuk do të ndërtohen marrëveshjet vetëm sipas konjukturave dhe që nuk do të ketë diskutime dhe marrje vendimesh prapa krahëve, ose në kulisa dhe ne do të vazhdojmë të shërbejmë si garniturë politike e disa liderëve politikë, për të arritur synimet e tyre.”

Lefter Xhuveli: “Ndërsa në lidhje me përmirësimet në qeveri, sigurisht ato janë çështje që situatat mund t’i diktojnë PS dhe kryeministri do të duhet ta kenë në vëmendje që në kohën e duhur të marrin hapat e nevojshëm.”/tvklan.al