Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Qeveria nuk ka nevojë për t’u freskuar. Sipas aleatit të socialistëve Skënder Gjinushi, kryeministri Nano duhet t’i kishte bërë me kohë lavazhin qeverisë.

Skënder Gjinushi:- “Koha për rikompozim ishte menjëherë pas zgjedhjeve, qoftë për problemet e brendshme në PS, qoftë për rikrijimin dhe konsolidimin e aleancave, pasi kryeministri duhet të jepte patjetër mesazhin, që ai ka përsëri shumicën elektorale, sipas zgjedhjeve të 12 Tetorit dhe ka dhe shumicën parlamentare, pra 84 votat që ka e majta, t’i fitonte nëpërmjet këtij rikompozimi dhe rikompozim që duhet të shoqërohet dhe me rikompozim në mënyrat e qeverisjes dhe në programin e qeverisjes, aq më shumë që kjo periudhë lidhej dhe me përgatitjen e buxhetit për 2004”.

Gjinushi sqaroi se mbledhja e grupit parlamentar socialist nuk solli asgjë të re, me përjashtim të faktit, se kryeministri Nano nuk është në gjendje për të ndryshuar qeverinë.

Skënder Gjinushi:- “S’ka asnjë ndryshim para kongresit, ai edhe njëherë e pa që është i bllokuar për të bërë një gjë të tillë dhe kryesia e PS, mendoj që bëri vetëm një mbështetje servile, ndaj kryeministrit dhe siç e patë ajo ishte një parodi, pra ishte një mbledhje, vetëm për të fituar kohë dhe për të krijuar një idenë, se gjoja janë të shqetësuar për zgjidhjen e krizës”.

Kryetari i PSD deklaroi se do të presë zhvillimet e Kongresit të 12 Dhjetorit për të rishikuar aleancën me socialistët, nëse partia çahet, socialdemokratët do të bashkëpunojnë me …?

Skënder Gjinushi:- “Me atë pjesë që është për ribashkimin e së majtës dhe për atë që e majta mos ta dorëzojë pushtetin një të djathte shumë më të çarë, por edhe një të djathte tepër destruktive”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj