Askush nuk duhet të ketë frikë nga ndotja kur bëhet fjalë për të zgjedhur zonën bregdetare ku do të kalojë pushimet, pasi e gjithë vija bregdetare ofron plazhe të pastra.

Kjo garanci vjen nga zv/Ministri i Mjedisit, Aleksandër Garuli, i cili siguron se niveli i ndotjes në plazhet shqiptare është brenda normave të lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Aleksandër Garuli: “Ujërat bregdetare janë brenda normës së lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Duke filluar nga plazhi i Velipojës, i Shëngjinit, i Durrësit, më tej Vlorës dhe deri në bregdet edhe në plazhet e Sarandës. Ujërat e plazheve tona bregdetare janë të pastra. Edhe Durrësi figuron 4 deri në 5 herë brenda normave të lejuara të OBSH-së”.

Plazhet më të pastra se një vit më parë, sipas Garulit, janë bërë falë masave administrative të marra në kohë.

Aleksandër Garuli: “I kanë shërbyer përmirësimit të situatës deporatorët e ujërave urbane, siç është impianti i pastrimit të ujërave të Vlorës apo fillimi i punës për ndërtimin e impiantit të qytetit të Durrësit, ndërtimi i kolektorëve, kanalizimeve. Duke filluar që në muajin Mars aktivitetet e shërbimit që janë në bregdet, restorante, hotele që përdorin dhe gropa septike, këto gropa janë pastruar”.

Por kujdes! Gjatë monitorimit të kryer, me një ndotje me pak të lartë se normalja rezultojnë zonat në afërsi të grykëderdhjeve, të cilat nuk duhet të frekuentohen.

Aleksandër Garuli: “Nuk duhet te lahen atje ku derdhen drejtpërdrejt kanalet grumbulluese të ujërave të qendrave urbane, një distancë 100 metër nga dy anët e kanalit të hidrovorit nuk është e këshillueshme që të shfrytëzohet për plazh.

Statistikat e bëra publike pas një monitorimi te kryer nga ana e drejtorisë së higjienës, tregojnë se në  69% të stacioneve, plazhi i Durrësit është brenda normave, ndërsa në 31% është mbi normat e rekomanduara./tvklan.al