Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Shqipëria s’mund të qeveriset me lista të rekomanduara nga OSBE-ja, ambasadat në Tiranë, apo emra të propozuar nga institute të huaja. Kështu e ka komentuar ftesën nga Lubjana e ardhur në adresë të opozitarëve ish-kryeministri Aleksandër Meksi. Sipas tij fatin e kryepartiakëve të djathtë do ta vendosin zgjedhjet.

Aleksandër Meksi:- “Forcat e djathta po nuk qenë të zonjat të grumbullojnë të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga qeveria e sotme, që mendojnë për një shtet të së drejtës, për të drejtat e njeriut dhe për ekonominë e tregut të ri sipas modeleve perëndimorë, unë nuk besoj se mund tja dalin mbanë me një ligj elektoral proporcional, që të rrëzojnë pushtetin e sotëm. Nëse partitë e djathta dështojnë edhe njëherë, normalisht të gjithë kryetarët e ketyre partive kanë dështuar”.

Duke shpjeguar marrëdhënien me Pollon, Shehun e Xhaferrin, Meksi mohon ekzistencën e lëvizjes reformatore demokrate.

Aleksandër Meksi:- “Unë nuk di që ka një lëvizje reformatore, ky është një emër i gazetave. Unë di që ka individë që thonë se jemi për informimin, secili sipas mendjes së tij. Nëse këto lëvizje synojnë demokratizimin e PD, do të thotë se asnjëri s’ka të drejtë ti veshi vetes petkun pa mandate të votës. Luftojnë platformat, luftojnë idetë, luftojnë edhe mënyra sesi duhet vepruar. Kur kjo nuk kuptohet nuk besoj se mund të presësh ndryshim, përparim dhe reformism të ndonjëgjëje./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame