Dosja hetimore për vrasjen e Genci Sinës, shoferit të familjes së kryeprokurorit ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas një viti hetim, organi i akuzës ka arritur në konkluzionin se vrasja e Genci Sinës është kryer nga Altin Arapi person për të cilin drejtësia në Belgjikës refuzoi kërkesën e palës shqiptare për ekstradim.

Akuza ndaj Arapit është formuluar ‘vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje’ vjedhje armatimi si dhe falsifikim dokumenti’. Së bashku me Altin Arapin do të gjykohet edhe e fejuara e tij Melda Tasho, e cila prej një viti mbahet e burgosur. Ndaj Tashos rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje për shkak të një thike të gjetur në dhomën e saj, moskallëzim krimi dhe përkrahje e autorit të ngjarjes.
Avokati i Altin Arapit shprehet se procesi hetimor nuk është i plotë pasi nuk është pyetur dëshmitarja kryesore e ndodhur në makinën ku u krye vrasja.

“Po më duket e çuditshme dhe jo normale fakti që nga dëshmitarët kryesorë të ngjarjes është pyetur vetëm njëri krah, vetëm taksisti, ndërsa zonja Sallaku dhe vajza e saj që ndodheshin brenda makinës dhe kanë dëgjuar dhe parë gjithçka ndodhi me të ndjerin Sina nuk janë pyetur si dëshmitarë. Është për të ardhur keq. Unë nga shtypi fillimisht kam mësuar se ato ishin pyetur, por në prokurori më thanë që nuk janë pyetur dhe s’kishin arsye pse t’i pyesnin. Mua më duket fare e çuditshme kur dëshmitar mund të thirret dhe Presidenti i Republikës, dhe kryeministri, edhe deputetët, zonja Sallaku, bashkëshortja e prokurorit të përgjithshëm që ka qenë dëshmitare e vetme brenda makinës në një ngjarje tepër të rëndë, nuk pyetet si dyshimtare.” /tvklan.al