Amaneti i Teodor Kekos është përmbushur. 12 tregime të lëna me shkrim dore që mbushën ditët e fundit të jetës së shkrimtarit të njohur u sollën të redaktuara nga Andi Bejtja ashtu siç dëshironte vetë Dori.

Personazhe, të cilët jetojnë në vitet e fundit të komunizmit, të cilët ngjajnë paksa me Dorin, që sot do të ishte 50 vjeç po të qe i gjallë mes nesh.

Dashamirës dhe miq prekën veprën e fundit të Teodor Kekos si për ta takuar edhe një herë njeriun që bisedonin çdo ditë.

Remzi Lani: “Gjithë këto vite që nga ikja e Dorit nuk kam arritur ta marr vesh nëse na ka bashkuar më shumë me praninë e tij apo me mungesën e tij. Është e qartë se disa gjëra në këtë botë kuptohen më mirë pikërisht atëherë kur na mungojnë.”

Andi Bejtja: “Nuk ishte ndonjë surprizë për mua pasi kishte vite që e kishte diskutuar këtë, por ajo që do të thoja unë është që në qoftë se e hap dëshirat e të gjallit nuk do t’i linin të bëhen amanete kjo botë do të ishte më e mirë”.

Artan Santo: “Dori më tha në ëndërr që kur të dalin të gjithë përjashta besoj që asnjë libër s’do të jetë aty. Dua që t’i fitoj të gjitha paratë unë, tha ai, kështu që besoj ta plotësojmë dëshirën e Dorit sonte. T’i shpenzojmë ato pak lekë për të fituar shumë ne të gjithë nga Dori që kaq shumë na desh dhe e donim kaq shumë”.

Xhulieta Keko: “Kur jam atje në Holandë është më e lehtë sepse më duket sikur është këtu. Kur vij këtu e kam shumë të vështirë se e realizoi që nuk është më”.

Ditëlindja e Teodor Kekos pati shumë dhurata, mes të cilave një film i Eno Milkanit, i titulluar “Shënjtorja”, ashtu si dhe një tregim i shkrimtarit të ndjerë.

Aty ndërthuret historia e dashurisë së dy të rinjve, e cila bie në kundërshtim me shoqërinë e para viteve ’90.

Emri i Dorit do t’i jepet edhe një çmimi të përvitshëm për gazetarët e rinj që lëvrojnë kulturën.

Nisma është marrë nga Ministria e Kulturës si vlerësim për atë që dha Teodor Keko në jetën e tij të shkurtër, e cila u ndërpre në moshën 44-vjeçare nga një sëmundje e rëndë./tvklan.al