Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përgëzuar Policinë e Shtetit për arrestimin e të shumëkërkuarit Kelmend Balili, i konsideruar si “Eskobar i Ballkanit” për trafikimin e lëndëve narkotike në sasi të mëdha.

Ambasada amerikane thotë se ky arrestim është në hap tjetër i rëndësishëm drejt zbatimit të ligjit dhe përparim në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ambasada shprehet se SHBA është e gatshme të vazhdojë të ndihmojë në Shqipërinë në luftën kundër krimit, por pyet se kush do ta ketë radhën pas Kelmend Balilit.

“Ne përgëzojmë Policinë e Shtetit dhe agjensitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE. Ne mirëpresim një hetim dhe gjyq të shpejtë dhe të plotë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar.  #KushEKaRradhën“.

Ish-ambasadori amerikan Donald Lu ka kërkuar disa herë përmes deklaratave publike, arrestimin e Kelmend Balilit, i cili iu fsheh policisë për dy vite. Balili dhe rrjeti i tij i drogës u zbulua gjatë një hetimi 6-mujor të policisë greke me ndihmën e DEA-s amerikane në vitin 2016.

/tvklan.al