Ambasadori amerikan, John Withers, ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Shkodrës ku është takuar me krerë të komuniteteve fetare dhe drejtues të pushtetit lokal.

Ai është ndalur fillimisht në katedralen katolike të Shkodrës ku është pritur nga famullitari Don Gjovalin Sukaj.

Withers ka përgëzuar krerët e këtij komuniteti për ruajtjen dhe kultivimin e harmonisë fetare në qytetin verior.

Gjatë takimit mes tyre është diskutuar lidhur me çështjen e pronave të komuniteteve fetare, proces për të cilin Withers ka garantuar se do të inkurajojë qeverinë shqiptare për ta çuar përpara.

Një takim i veçantë ishte rezervuar për ambasadorin amerikan në selinë e Komunitetit Mysliman.

Myftiu i Shkodrës e ka falënderuar ambasadorin amerikan për kontributin që vendi i tij ka dhënë dhe po jep për pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman ka kërkuar mbështetjen e selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara për përshpejtimin e procesit të kthimit të pronave.

Ndërkohë Withers ka vizituar nga afër edhe nxënësit e medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, ku dhe ka prezantuar projektin e ambasadës amerikane për proceset e integrimit.

Gjatë vizitës së tij Withers ka bërë një homazh edhe në varrezat e martirëve fetarë të pushkatuar nga regjimi komunist./tvklan.al