Gjermania është një prej vendeve me investimet më të mëdha në Shqipëri, në projekte sociale dhe industriale.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borshard, i ka parë nga afër disa prej këtyre projekteve që përfitojnë nga bashkëpunimi gjermano-shqiptar, duke e kthyer inspektimin e investimeve gjermane bashkë me mediat, në një ritual të përvitshëm.

Me mbështetjen bankare të KFW-se që nga viti 1992 Gjermania ka investuar me projekte mbi ujin e pijshëm si dhe atë të trajtimit dhe filtrimit të ujërave të zeza.

Inspektimi i parë është ai në impiantin e rrjetit të ujerave dhe pastrimit të ujërave të zeza në Golem.

Krahas impianteve ujore projekti për zhvillim ka investuar dhe në rrjetin energjetik të pompave për shpërndarjen sa më të shpejtë të ujit të pijshëm siç është rasti i Kuçovës dhe i Beratit të cilat kapin vlerën e 11 milionë eurove.

Investimet  për Shqipërinë arrijnë në 900 milion euro dhe projektet do të shtrihen edhe në Kosovë, siç rrëfen për TV Klan, ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borshard.

Bernd Borshard: “Bashkëpunimi Shqiptaro-Gjerman ka filluar në vitin 1988 dhe deri sot ka arritur në shumën 900 milionë euro investime për Shqipërinë. Shpresojmë që investimet tona ti dyfishojmë për dy vitet e ardhshme. Tre shtyllat kryesore të këtij bashkëpunimi janë furnizimi me ujë të pijshëm rrjeti i kanalizimeve, ujërat e zeza si dhe furnizimi me energji elektrike. Ne jemi përfshirë në të gjithë Shqipërinë me investimet tona si në Pogradec, Korçë,Kavajë, Krujë, Berat ndërsa do të shtrijmë rrjetin energjetik në jug të Shqipërisë si dhe rrjetet ndërkombëtare me Malin e Zi dhe Kosovën.”

Vëmendje të veçantë u është kushtuar edhe investimeve në fushën sociale siç është rikonstruksioni i kopshtit të Kuçovës dhe i shkollës 9-vjeçare të komunës së Libofshës në Fier.

Projekti për zhvillim ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë krahas investimeve në sektorë të rëndësishëm industriale ka përhapur veprimtarinë e tij dhe në konsulencën prodhuese për ndërmarrjet si dhe në atë kulturore ku bashkëpunimi mes dy vendeve  vazhdon të jetë i ngushtë./tvklan.al