Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Bochard, i konsideron zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit një hap pozitiv përpara, duke iu referuar këtu regjistrimit të zgjedhësve, procesit të identifikimit me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike.

Në një intervistë dhënë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve, Deutsche Welle, Borshard evidentoi disa nga arritjet, megjithatë siç tha ai ka pasur edhe shkelje të konstatuara nga ana e ndërkombëtarëve gjatë fushatës, ditës së zgjedhjeve, e sidomos gjatë procesit të numërimit të votave.

Megjithatë diplomati gjerman theksoi se një bashkëpunim i opozitës me mazhorancën është i domosdoshëm, pasi siç theksoi ai, reformat e mëdha integruese që vendi ka dhe do të ndërmarrë në të ardhmen kanë nevojë jetësore për mbështetjen e opozitës.

Duke folur lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, Borshardt tha se Berlini zyrtar do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë sidomos në elementet që janë dhe kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë ambasadori gjerman theksoi se duke parë progresin e Shqipërisë, plotësimi i kushteve të vëna nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave, por dhe për integrimin ne këtë organizëm, është plotësisht i realizueshëm.

Sa i takon investimeve dhe asistencës së qeverisë gjermane në Shqipëri, ambasadori Borshardt tha se dhe për katër vitet që do të vijnë investimet gjermane do të fokusohen në energji, ujë dhe kanalizimin e ujërave të zeza.

“Synimi ynë është të mbështesim fuqimisht Shqipërinë për tu anëtarësuar në bllokun 27-anëtarësh”, përfundoi Borshardt./tvklan.al