Panairi gjerman ka çelur dyert në Tiranë dhe 40 firma kanë prezantuar produktet e shërbimet e tyre.Pjesëmarrës janë jo vetëm kompani dhe firma gjermane që operojnë në Shqipëri, por dhe të tjera që synojnë të hapin aktivitet, apo kompani shqiptare që importojnë e eksportojnë në Gjermani.
Në çeljen e këtij panairi ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Bern Borchard, i cili u shpreh se ky aktivitet do të thotë se Shqipëria është futur në fokusin e ekonomisë gjermane.
Bern Borchard: “Angazhimi ekonomik i Gjermanisë në Shqipëri përbëhet nga dy shtylla të rëndësishme nga njëra anë është angazhimi i ekonomisë private. Ka mësuar se ekonomia gjermane këtu është angazhuar shumë më fuqishëm, qoftë përsa i takon tregtimit të mallrave të konsumit ashtu edhe në sektorin e ndërtimit, në atë të farmaceutikës apo në prodhimin e energjisë. Komponentja e dytë angazhimit gjerman është bashkëpunimi bilateral. Në vitin 2008 ne vendosëm që ta rrisim më shumë se dyfish ndihmën tonë.”
Ndërsa ministri i ekonomisë, Genc Ruli tha se ky panair është dëshmi e marrëdhënieve pozitive, ekonomike dhe politike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Genc Ruli: “Përveç marrëdhënieve me një progresion shuam pozitiv, politike dhe ekonomike midisi shtetit gjerman dhe shtetit shqiptar ne po shohim në vitet e fundit një zhvillim intensiv të marrëdhënieve dhe transaksioneve midis biznesit shqiptar dhe biznesit gjerman. Evenimente të tilla si panaire me biznese të vendeve të ndryshme të Europës janë një konfirmim që politikat që qeveria ka ndërmarrë në drejtim të krijimit ë një klime sa më të përshtatshme dhe motivuese për biznesin kanë dhënë rezultatin e tyre.”
Në tre ditë vizitorët do të kenë mundësi të shikojnë prezantimet e kompanive e firmave nga fusha e ndërtimit, mjekësisë, farmaceutikës, industrisë së makinave etj.
“Panairi gjerman 2009″ është organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Ministrisë së Ekonomisë./tvklan.al
Gazetare: Eriona Rafti