Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, përmes një deklarate ka thënë se është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që mandati i organeve të Vettingut të zgjatet, në mënyrë që procesi i verifikimit për prokurorët dhe gjykatësit të përmbyllet sa më shpejt.
Zingraf shkruan se procesi i reformave në sektorin e drejtësisë është vendimtar për aspiratat e Shqipërisë lidhur me anëtarësimin në BE.
“Procesi i reformave në sektorin e drejtësisë është vendimtar për aspiratat e Shqipërisë lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Verifikimi i gjykatësve dhe prokurorëve është një element kyç në këtë kontekst. Ndaj për vendin është shumë e rëndësishme që mandati i institucioneve të pavarura dhe përgjegjëse të vettingut, i cili përfundon në qershor, të zgjatet, në mënyrë që procesi i verifikimit të përmbyllet sa më shpejt. Qeveria dhe opozita kanë përgjegjësinë e përbashkët për të rritur sundimin e ligjit duke u mundësuar kështu qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë të ecin më tej në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, deklaron Zingraf.
Zgjatja e afateve të Vettingut është një nga çështjet kryesore politike të këtij sesioni parlamentar. Pritet që parlamenti të shprehet për këtë çështje pas 2 ditësh, më 10 Shkurt./tvklan.al