Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, priti në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, i cili shoqërohej në këtë takim, nga Oficeri Ndërlidhës i BKA-së Gjermane, Holger Primas dhe Oficerja Ndërlidhëse e Policisë Federale Gjermane, Andrea Geschke.
Gjatë takimit, Gledis Nano vuri në dukje se bashkëpunimi me partnerët, dhe aq më tepër agjencitë ligjzbatuese të Gjermanisë, është i një rëndësie të veçantë për Policinë e Shtetit. Në këtë kontekst, Nano falënderoi në emër të Policisë së Shtetit, qeverinë gjermane, ambasadën e Gjermanisë në Shqipëri dhe agjencitë ligjzbatuese gjermane, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ofruar strukturave të Policisë së Shtetit.

Po ashtu evidentoi mbështetjen logjistike për Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, duke theksuar se ky Departament nuk do të ishte në këtë nivel pa mbështetjen e Policisë Federale Gjermane. Njëherazi ai vlerësoi mbështetjen dhe kontributin e dhënë nga BKA Gjermane, për Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe rezultatet e arritura kundër krimit të organizuar, në kuadër të Projektit ORKA. Krahas këtij Projekti, Njësinë “Anti Skifter” e cilësoi një tjetër bashkëpunim të suksesshëm.
Duke shprehur mirënjohjen për gjithë kontributin dhe mbështetjen e dhënë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shprehu bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen, si në forcimin e kapaciteteve logjistike, ashtu edhe për trajnimin për studentët tanë në mënyrë afatgjatë, që ata të studiojnë në Gjermani dhe të kthehen në Shqipëri për të vënë në zbatim njohuritë e përftuara, si dhe trajnimet e vazhdueshme për të gjitha nivelet e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf evidentoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes palëve dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi do të vijojë të jetë i tillë. Po ashtu vuri në dukje se në kuadër të vizitës që është ftuar për të realizuar së afërmi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në Gjermani, do të mund të diskutohen edhe çështje në interes të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes palëve.
Gjatë takimit, Oficerja Ndërlidhëse e Policisë Federale Gjermane, Andrea Geschke dhe Oficeri Ndërlidhës i BKA-së Gjermane, Holger Primas evidentuan disa prej aktiviteteve të pritshme lidhur me projektet që po zbatohen për shkëmbime eksperiencash mes palëve, trajnime të ndryshme, mbështetje logjistike, siç janë edhe programi i bursave i BKA-së dhe i studimeve master të Policisë Federale./tvklan.al
