Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere u ka bërë thirrje Prishtinës e Shkupit të tejkalojnë çështjet që pengojnë thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Fuere  u bëri thirrje të dyja vendeve të vendosin sa më shpejt marrëdhënie diplomatike mes tyre.

Ervan Fuere: “Ne me të vërtetë shpresojmë që të dyja qeveritë do të bëjnë përpjekje për të zgjidhur çështjet të cilat do të sigurojnë vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, siç është shënimi i vijës kufitare. Ne nuk duhet të harrojmë që Maqedonia është partneri më i madh tregtar i Kosovës, kështu që duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të zgjeruar marrëdhëniet mes dy vendeve sa më shpejt të jetë e mundur.”

Edhe pse në deklaratat e tyre të dyja vendet zotohen të krijojnë lidhje të afërta bashkëpunimi, mes Shkupit e Prishtinës vihet re një ftohje e marrëdhënieve. Shkak për këtë është anulimi i vizitës së presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiut, i cili erdhi menjëherë pas lajmit se takimi me Ivanov nuk do të ishte një takim zyrtar, por thjesht një takim pune.

Sejdiu tha se një parim  reciprok do të vlejë edhe për zyrtarët nga Maqedonia, një deklaratë kjo që shkaktoi reagimin e kryeministrit Nikolla Gruevski. Në një dalje për media kryeministri u shpreh kundër deklaratave politike në kurriz të marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve./tvklan.al