Ambasadori italian Fabrizio Bucci, në mbyllje të misionit të tij 5-vjeçar në Shqipëri u nderua me “Çelësin e Qytetit” nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

“Të jam shumë mirënjohës dhe të falenderoj shumë për integritetin, për dinjitetin, për energjinë pozitive dhe për faktn se përtej burokracisë, ke qenë një mik i vërtetë i Tiranës. Ju konsideroj vërtet një misionar, i cili ka kontribuar pafund që Shqipëria dhe Italia të jenë më afër se kurrë. Dua që ky çelës të jetë një simbol i një zemre të hapur, i një dere të hapur, i një mendje të hapur dhe i një dashurie të madhe për atë që i ka shërbyer këtij raporti special mes Shqipërisë dhe Italisë”, tha Veliaj.

Nga ana e tij, ambasadori teksa shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe miqësinë e veçantë që ai gjeti tek populli shqiptar, tha se ky pesëvjeçar ka shënjuar një rritje të mëtejshme marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Italia e Shqipëria, në shumë aspekte, tashmë janë një vend i vetëm, nisur nga fakti që në maj, “Giro d’Italia” i cili është eventi sportiv më i ndjekur në botë, fillon në Shqipëri, duke treguar edhe një herë se dy vendet tona janë të bashkuar dhe se janë një vend i vetëm. Në Shqipëri kam kuptuar se përzemërsia dhe dashuria janë çelësi që hap të gjitha dyert”, tha ambasadori.

Bucci do të marrë detyrën e ambasadorit italian në Gjermani.

Tv Klan