Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku dhe ambasadori italian Alberto Cutillo zhvilluan një takim paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme, ku diskutuan për bashkëpunimin mes dy shteteve.
Sipas njoftimit zyrtar nga zyra e shtypit të Prokurorisë, kryeprokurorja shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve.
Arta Marku falenderoi gjithashtu ambasadorin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi.
Kryeprokurorja theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar.
Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit “Për Dekriminalizimin”. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë. /
tvklan.al