Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të shtunë në Kakavijë. Një ambulancë ka përplasur për vdekje një fëmijë 10-vjeçar, familja e të cilit po qëndronte në radhë për të kaluar doganën drejt shtetit grek.

Tvklan.al mëson se ambulanca ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të lartë dhe drejtohej nga A.G. Ai po transportonte drejt spitalit një grua me probleme shëndetësore. Dyshohet se fëmija i ka shpëtuar nënës nga duart dhe ka dalë para mjetit.

Përplasja ka qenë fatale për të miturin e cili ka humbur jetën në vend. Mësohet se familja e 10-vjeçarit është nga Lezha.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë kthesës së fshatit Bularat.

Prej disa ditësh në aksin Gjirokastër-Kakavijë është krijuar radhë e gjatë mjetesh që presin të kalojnë kufirin me Greqinë.

Emigrantët shqiptarë shkuan me qëllimin që të kalonin kufirin përpara se të hynin në fuqi masat e reja të vendosura nga shteti grek ku kërkohet karantinim 7-ditor dhe testi negativ për Covid./tvklan.al