Me kërkesë të PS-së dhe të grupit Bardhi-Berisha është futur në rendin e ditës projektligji për amnistinë penale. Kjo amnisti mbrohet nga këto dy palë, ndërsa gjatë seancës parlamentare u kundërshtua nga përfaqësuesit e grupimit të Bashës në PD.
Lindita Nikolla: Ju njoftoj se në Kuvend është depozituar kërkesa e kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar të PD ku kërkohet të vendoset në rendin e ditës projektligji për dhënie amnistie.
Enkelejd Alibeaj: Me amnistinë që po bëheni gati të votoni i sakrifikuari i madh këtu është drejtësia.
Ulsi Manja: Zoti Alibeaj nuk duhet të vazhdoni të bëni më politikë me këtë projektligj. Asnjë i dënuar nga Gjykata e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, as nuk përfiton nga kjo amnisti, as nuk i zbritet dënimi.
Gazment Bardhi: Në amendamentin e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike falen të gjithë protestuesit. Asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk përfiton. Asnjë subjekt i posaçëm i dënuar nga GJKKO nuk përfiton nga amnistia.
Ndërkohë vijuan debatet mes Gazment Bardhit dhe kryeparlamentares Nikolla për interpelancën e kërkuar nga demokrati ndaj kryeministrit Edi Rama.
Lindita Nikolla: Të kam sqaruar dje në Konferencën e Kryetarëve. Kërkesa juaj nuk ka asnjë lidhje me këtë pikë të rregullores.
Gazment Bardhi: Tani unë e kuptoj që trafiku i drogës për Edi Ramën është padyshim çështje private se nëse familjarë të tu janë të përfshirë në trafik droge padiskutim që ti luftën ndaj trafikut të drogës ti nuk e konsideron.
Lindita Nikolla: Kjo nuk është procedurë zoti Bardhi.
Gazment Bardhi: Po diskutoj veprimtarinë shtetërore.
Lindita Nikolla: Ju ndërpres fjalën.
Bledi Çuçi: Diskutuam në konferencën e Kryetarëve dhe më vjen shumë keq që i le hapësirën prapë këtu në seancë për të diskutuar një gjë që nuk ka vend për diskutim sepse rregullorja e ka shumë të qartë. Nuk kërkohet interpelancë për shpifje sepse ndryshe ky parlament do të merrte fund.
Tv Klan