Trajneri Ruben Amorim mendon se presioni për të arritur rezultate te Manchester United mund të jetë çelësi për të arritur suksese në këtë sezon.

Objektivi i “Djajve të kuq” për takimin ndaj Southemptonit në mbrëmjen e së enjtes është që t’i japë fund ecurisë prej katër takimesh pa fitore në Premier League.

“Në këtë moment unë nuk ndiej presion, sepse në vitet e fundit ne nuk e kemi fituar kampionatin. Mendoj se ne duhet që ta sjellim këtë presion për të fituar mbi ne, sepse jashtë fansat janë të mrekullueshëm. Unë dua vetëm që të fitojmë dhe ta ndiej këtë presion në të ardhmen. Na duhet suksesi! Na duhen titujt e triumfet në ndeshje! Në këto momente, ne vetëm duhet që të fitojmë në sfida”.

Dy muaj pas ardhjes së Amorimit në stol, United qëndron në vendin e 14-të në kampionat.

Pavarësisht fitores 2-1 në Manchester City, barazimit 2-2 në Liverpool dhe fitoren e fundit në FA Cup kundër Arsenalit me penallti, mungesa e qëndrueshmërisë e shqetëson trajnerin.

Amorim nuk preferoi që të ndalej tek e ardhja e sulmuesit Marcus Rashford, i cili nuk ka luajtur që nga 12 dhjetori, ndërsa në media është përfolur largimi i tij nga “Old Trafford”.

Klan News