Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Sot paradite Ministri i Rendit Publik, Spartak Poçi ka marrë pjesë në analizën tre mujore të Drejtorisë së Policisë së Prefekturës Tiranë. Raportin për punën e bërë gjatë kësaj periudhe e mbajti drejtori i policisë së kryeqytetit, kolonel Bilbil Mema. Vendin kryesor në këtë raport e zinin masat e marra dhe puna e bërë nga efektivat e policisë për përballimin me sukses të fushatës, zgjedhore dhe gjithë procesit elektoral në zgjedhjet lokale.

Kështu gjatë tre muajve të fundit, në prefekturën e Tiranës, kanë ndodhur 292 vepra penale dhe janë zbuluar 89% e tyre. Ministri i Rendit Publik, Spartak Poçi në fjalën e tij ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme që ka bërë policia e drejtorisë së Tiranës, gjatë procesit elektoral. Së fundi ministri Poçi ka folur dhe për aksionin e madh antikrim, që policia shqiptare po përgatitet të fillojë së shpejti. Ky aksion që ka si synim kryesor, goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve, sipas ministrit Poçi është i koordinuar dhe me policitë e shteteve fqinje./tvklan.al