Trajneri Carlo Ancelotti shprehet se Real Madridi është gati për ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Milanit, edhe pse nuk ka dëshirë që të flasë për futbollin pas tragjedisë që goditi Valencia. Për të sfida kundër kuqezinjve është gjithnjë speciale, por këtë herë situata është ndryshe.

Italiani u shpreh se te “Los Blancos” asnjë nuk kishte dëshirë që të luante, por janë të detyruar pasi nuk janë ata që vendosin.

“Asnjë nuk dëshironte të luante, por nuk jemi ne që vendosim! Futbolli duhej që të ndalej, pasi është gjëja më e rëndësishme ndër më pak të rëndësishme të jetës. Për atë do të jetë një ndeshje speciale nisur nga e kaluara. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur! Milani nuk e ka nisur mirë, është ekip shumë i vështirë që ka shumë cilësi! Ka shumë potencial, por ende nuk e ka shfaqur të gjithin! Ne jemi në kërkim të vazhdimësisë, jam i sigurt se mund ta gjejmë shpejt!”

Sa i përket çështjes së “Topit të Artë’, Ançeloti tha se është e kaluara dhe se ai e fitoi më 1 Qershor me Ligën e Kampioneve. Por komplimentoi të gjithë fituesit.

Italiani ka qenë në stolin e Milanit nga viti 2001 deri në 2009 dhe ka arritur suksese të rëndësishme, ndër to edhe dy Liga Kampionesh.

Klan News