Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti deklaroi se sulmuesi i ekipit, Kylian Mbappe nuk ndikohet nga akuzat për përdhunim, pas lajmeve se ndaj tij ka nisur një hetim në Suedi. Italiani u shpreh se kapiteni i Francës është shfaqur shumë i motivuar në stërvitje, pas pushimit dy javor, ku ai nuk u grumbullua me “gjelat” për dy sfidat e kombëtares në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Belgjikës.

Sipas mediave suedeze, Mbappe i cili ishte me disa shokë në Stokholm, po hetohet pasi dyshohet për incidentin, ngjarje e ndodhur në hotelin ku po qëndronte në qendër të Stokholmit me 10 tetor.

Ancelotti shpjegoi se ai nuk mund të planifikojë udhëtimet e një futbollisti, pasi secili ka të drejtë të veprojë si të dojë gjatë kohës së tij të lirë.

“Nuk jam këtu për të komentuar spekulimet! Unë përqendrohem në punën që bën, që ka qenë shumë e dobishme për të! Thjesht ka pasur ditët e tij të pushimit. Nuk i marr parasysh spekulimet që vijnë nga jashtë. Mbappe e ka shfrytëzuar këtë pushim për të përmirësuar gjendjen e tij dhe për t’u rikuperuar nga dëmtimet. Mendoj se ai e ka përmirësuar shumë gjendjen e tij fizike! Është i etur për të luajtur në sfidën e radhës! E vërteta është se këto 15 ditë e kanë ndihmuar shumë sepse tani është një lojtar ndryshe nga para pushimit.”

Ancelotti tha se nuk përjashtohet mundësia e afrimeve të reja për të plotësuar hapësirën pas dëmtimit të Dani Carvajal. Los Blankos do të përballen mbrëmjen e së shtunës me Selta Vigon në transfertë.

Galaktikët janë të dytët në renditje në kuotën e 21 pikëve, tre më pak se sa Barcelona kryesuese.

Klan News