Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, u shfaq shumë i lumtur për fitoren 5-2 ndaj Borussia Dortmund dhe tripletën e shënuar nga Vinicius Junior.

Sipas tij, sulmuesi brazilian do e fitojë “Topin e Artë”, për atë që ka bërë gjithë vitin me madrilenët.

Ancelotti foli edhe për fitoren, duke thënë se ajo që skuadra tregoi në pjesën e dytë ndaj Borussia Dortmund, mund të jetë pikë kyçe për sezonin.

“Ndodh rrallë që të shikosh një lojtar të luajë si Vinicius në pjesën e dytë. Përveç golave, ai na dha energji dhe intensitet, ndërsa tregoi karakter të jashtëzakonshëm. Ai do ta fitojë ‘Topin e Artë’, jo për atë që tregoi në këtë ndeshje, por për atë që ka bërë gjatë gjithë vitit.

Pavarësisht dy golave të pësuar, në ishim të qetë, duke menduar se çfarë do të ndryshonim në pjesën e dytë. Në pjesën e parë nuk ushtruam presion dhe pësuam dy gola. Pjesa e dytë, ishte më e mira e këtij sezoni.

Unë i thashë lojtarëve se duhet të fokusohemi në detajet e vogla. Nuk duhet të humbisnin pasimet, të bënin krosime të mira dhe të fitonin duele. Kur fitoni duele, dinamika e ndeshjes ndryshon dhe kështu ndodhi. Pjesa e dytë na mësoi shumë. Mund të jetë një moment kyç në sezonin tonë”, deklaroi Ancelotti.

Real Madrid mposhti 5-2 skuadrën e Borussia Dortmund, pasi e mbylli pjesën e parë në disavantazh 0-2. /tvklan.al