Gazetarja: “Zoti Harasani, a do të shkojë grupi parlamentar i Partisë Socialiste ditën e hënë në parlament?”
Andis Harasani: “U vendos në mënyrë të çuditshme, u hodh në skenë një propozim, u hodh në votim një propozim për mua e pakuptueshme e kryetarit në detyrë, zotit Edi Rama. Propozimi ishte që do shkojmë në parlament apo jo. U votua në mazhorancë që nuk do shkojmë në parlament. Propozimi tjetër që për të shkuar në parlament nuk ishte propozim. Ne nuk u shprehëm për votim pasi ne jemi për pjesëmarrje të kushtëzuar në parlament. Thelbi i të gjithë kësaj sorollatje, i gjithë këtij qorrsokaku të pakuptimtë duke shkuar nga asambleja në kryesi, nga kryesia në asamble, nga asambleja në kongres, u kthye prapë në kryesi, iu kthye grupit parlamentar. Është e thjeshtë, kemi dy skema veprimi. Një skemë veprimi është të gjithë elementët janë të përbashkët. Në të dyja skemat i vetmi element që ndryshon te të dy skemat është pjesëmarrja në parlament. Pra ka një propozim për të bërë një luftë opozitare jashtë parlamentit. Ka dhe një propozim për të bërë një luftë parlamentare brenda parlamentit. Çdo perifrazim, çdo fjalë që ne do mundohemi të përdorim si mospjesëmarrje e pjesshme, pjesëmarrje me një ditë, pjesëmarrje në dy muaj, hyrje mbas tre muajsh, është thjesht bojkot. Ne në qoftë se duam të rikthehemi me fitore, në qoftë se duam të rikthehemi në pushtet duhet të mësojmë nga historia e politikës shqiptare. Ne kemi ngelur, fatkeqësisht vura re, që ne kemi ngelur tek Berisha e ’97-tës dhe ’98-tës. Ne harrojmë që skema e bojkotit është një skemë të cilën Berisha e provoi dhe u detyrua, erdhi në Berishën e 2004-tës kur e kuptoi që ndërprerja e bojkotit, kthimi në parlament, marrja e foltores së parlamentit, hapja, modernizimi i partisë dhe thirrja e çdo mendimi ndryshe në parti dhe bashkëpunimi për reformën zgjedhore i sollën fitoren Berishës. Fatkeqësisht ne nuk po arrijmë të ngrihemi në nivelin e Berishës të 2004-tës”.
Gazetarja: “Zoti Rama dje pas mbledhjes së kryesisë deklaroi që sot do t’i paraqesë grupit parlamentar një paketë me kushte që do t’i vendoset qeverisë, parlamentit për t’u rikthyer në parlament. A kishte në të vërtet, a u propozuan kushte konkrete dhe cilat ishin?”
Andis Harasani: “Në fakt u paraqit një dokument i shkruar i cili për mendimin tim duhet të ishte paraqitur që dje në kryesi, gjithsesi këto janë vendime që i merr kryetari në detyrë. Shumë nga kolegët, qofshin ata pro, që votuan pro bojkotit, qoftë ata që ishin kundër bojkotit pranuan që dokumenti ka shumë, kishte shumë mangësi, kishte shumë probleme dhe pikërisht për shkak të mangësive që paraqiti ky dokument u arrit në atë votim të pakuptimtë dhe mbyllje të pakuptimtë të mbledhjes nga zoti Rama”.
Gazetarja: “Disa nga kushtet më interesojnë…”.
Andis Harasani: “Po te kushtet ne biem të gjithë dakord. Tek kushtet biem tek mbrojtja e çdo socialisti, i cili po largohet nga puna për motive politike, tek transparenca e plotë e zgjedhjeve, tek transparenca e plotë e televizionit kombëtar, mospërdorimi për efekte fushate, mospërdorimi i fondeve publike për arsye politike, pra gjatë fushatës për reklama të cilat kishin mbi 3 muaj që filluan nga qeveria Berisha, pra janë të gjitha kushte të cilat duke bojkotuar ne nuk do arrijmë kurrë t’i realizojmë”.
Arben Malaj: “U diskutua mbi qëndrimet politike dhe mbi veprimet politike, pra qëndrimi politik për zgjedhjet është unik, qëndrimi ose vlerësimi për institucionet e dala nga këto zgjedhje është unik që ato kanë një legjitimitet të cunguar. Përsa i përket veprimit politik sigurisht pati qëndrime të ndryshme, pra ekzistonte një mendim ndryshe, i cili dëshiron të theksojë që Partia Socialiste mund ta maksimizojë eficencën e saj si forcë politike brenda institucioneve të shtetit shqiptar, pra në parlamentin e vendit. Në këtë mënyrë në një ballafaqim parlamentar duke filluar së pari mbi të gjitha me hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe me një sërë debatesh të tjera parlamentare ne mund të tregojmë seriozitetin, mund të rrisim kredibilitetin dhe mund të rrisim mbështetjen publike…”./tvklan.al