Lajme Arkiva 2003

Pas një takimi të kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi me anëtarët e komisionit hetimor anti-Rama që ka zgjatur më shumë se një orë, komisionerët e opozitës kanë mbërritur në Bashkinë e Tiranës. Këtë herë dyert e Bashkisë janë hapur për anëtarët opozitar të komisionit pas një pritje rreth 10  minutash. Ndërkohë para se të takoheshin me nënkryetaren e bashkisë Vali Bizhga, kryetari i komisionit Sokol Olldashi ka deklaruar se tashmë është zyrtarizuar një padi kundër bashkiakut Edi Rama.

Sokol Olldashi: Zoti Rama shkeli dje ligjin, për këtë unë kam depozituar në prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal dhe zoti Rama po rishkel lijgin dhe do përballet me të gjitha efektet e tij.

Pasi e kanë kryer takimin e parë me zyrtarët bashkiak, zoti Olldashi ka njoftuar se pas 24 orësh, komisioni do të ketë pjesën e parë të dokumentave të kërkuara për shqyrtim.

Sokol Olldashi: Diskutuam zyrtarisht me nënkryetarin e bashkisë, për çështje që ne i kemi paraqitur me kërkesën tonë dhe të djeshme edhe të sotme dua të vlerësoj pozitivisht faktin që Bashkia e Tiranës u tërhoq nga vendimi i saj i djeshëm që ishte i paligjshëm për të mbyllur dyert me zinxhirë, më vjen mirë që është hapur, sikurse dihej. Shpresoj të kenë kuptuar se ky është një proces që nuk mund të ndalohet dhe që dot kryhet. Me shkresën që i kemi dërguar bashkisë dje i kemi kërkuar që sot të na vihen në dispozicion disa materiale që lidhen me objektivat tona për hetimin. Kemi marrë angazhimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës që brenda mëngjesit të ditës së nesërme do të fillojnë të na vihen në dispozicion këto dokumenta, do të presim ditën e nesërme për të vazhduar procedurat.

Pas takimit në Bashki tre prej anëtarëve të tjerë të komisionit anti-Rama i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, ku pas takimit me ministren Dade dhe zëvendës ministrin kanë treguar për TV Klan se të premten do të merren dokumentet e parë të kërkuar.

Në të njëjtën kohë krytari i komisionit Olldashi ka patur një takim me dyer të mbyllura me Presidentin e Republikës Alfred Moisiu.

Ilir Bano:Na priti ministrja dhe zëvendës ministri. E vetmja kërkesë që kishim ishte që zyrtarisht të shkonte nga komisioni vendimi i krijimi të komisionit. Ditën e premte në orën 10 ne do të fillojmë sipas kërkesës që kemi bërë. Na premtuan se nuk do të kemi pengesë./tvklan.al