Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Zgjerohet marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë një vizite në Prishtinë, Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli, mori garancinë e autoriteteve kosovare për zgjerimin e tregtisë së lirë mes dy vendeve. Marrëveshja aktuale e tregtisë së lirë me Kosovën, ka hyrë në fuqi në Korrik të vitit të kaluar.

Anastas Angjeli:- “Bëhet fjalë për të thelluar më tej liberalizimin e tregtisë pasi ne 85% të produkteve bujqësore dhe 90% të produkteve industriale, tashmë në marrëdhëniet midis dy vendeve tona i kemi tërësisht të liberalizuara. Natyrisht që për produkte, të cilat do t’i nevojitet ekonomisë së dy vendeve tona, të liberalizohet më tej, ne do ta thellojmë këtë liberalizim, si një kusht i liberalizimit të ekonomisë dhe të tregtisë tonë”.  

Kryeministri Bajram Rexhepi, konsideron se Shqipëria mund të bëhet partnere edhe në privatizimet që po kryen në Kosovë.

Bajram Rexhepi:- “Kemi shumë interesa strategjike të përbashkëta, mund të them se deri tani nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë, gjithnjë ka mundësi që edhe më tutje të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë. Jemi të hapur që kjo marrëveshje e tregtisë së lirë të pasurohet”.

Ministri Angjeli mori garancinë e UMNIK-ut për heqje të taksimit të dyfishtë, si dhe mbrojtjen e investimeve në të dy vendet, gjatë takimit me kreun e zyrës ligjore në UMNIK Andrea Vitkovvski.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Ali Jakupi, i sheh si inkurajuese rezultatet e deritanishme të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Shqipërinë dhe shprehet se po organizohet një komitet i përbashkët mes dy vendeve për rishqyrtimin e listave të produkteve që do të liberalizohen në të ardhmen.

Biznesmenë të përfaqësuar nga Dhoma Shqiptare e Tregtisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, diskutuan për shkëmbimin e hapësirave të produkteve, si pasojë e liberalizimit të tregjeve./tvklan.al