Anija kozmike Starliner e kompanisë Boeing arriti të kthehej në Tokë, por dy astronautët që u nisën me të, mbetën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Anija u kthye bosh pasi ekspertët e NASA e konsideruan të pasigurt kthimin e astronautëve Butch Wilmore dhe Suni Williams për shkak te defekteve që pësoi anija gjatë nisjes në 5 qershor.
Për kthimin e tyre do të ketë një misionin të kompanisë Space X në muajin shkurt duke bërë që qëndrimi në hapësirë i dy astronautëve të zgjatet nga 8 ditë që ishte parashikuar në fillim në 8 muaj. Megjithatë NASA u shpreh se astronautët janë në humor të mirë dhe po mbajnë kontakte të rregullta me familjet e tyre. Në njoftim thuhet se ata kanë gjithçka për të përballuar qëndrimin për këtë kohë në hapësirë.
Ky ishte fluturimi i parë provë për anijen Starliner të Boeing me astronautë në bord. Por kapsula e tyre pësoi probleme teknike që në nisje pasi u konstatua një çlirim i gazit helium duke bërë që disa nga shtytësit të mos funksiononin. Kompania Boeing deklaroi se defekti mund të riparohej, por NASA këmbënguli për të mos vënë në rrezik jetën e astronautëve duke shkaktuar polemika të shumta mes tyre.
Tv Klan