Anija turke ‘Moliva’ që në kuvertë mban 102 konteinerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme do të vazhdojë të qëndrojë në radë deri sa autoritetet shtetërore të vendosin për mënyrën e administrimit të tyre.

Autoriteti Portual nuk ka lejuar ende futjen e saj në port, pasi e ka të pamundur plotësimin e kërkesave të urdhrit të Prokurorisë për të gjetur një vend të sigurt mjedisor dhe garantimin e sigurisë fizike të tyre.

Në përgjigjen që i ka kthyer prokurorisë, Autoriteti Portual thekson se nuk mund të sigurojë një hapësirë të përshtatshme për depozitimin e tyre, pasi mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe kërkojnë kushte të veçanta sigurie.

Nga ana tjetër ky institucion thotë nuk ka kapacitetet e nevojshme për të garantuar ruajtjen fizike të tyre me kamera 24 orë ashtu sikurse ka urdhëruar prokuroria.

Anija ‘Moliva’ me 102 kontenierë brenda së cilës dyshohet se ka materiale të rrezikshme, ndodhet në Radë, 1.5 milie nga porti i Durrësit, që prej mëngjesit të së hënës.

Ndërkohë me të mbërritur, prokuroria kërkoi sekuestrimin e të gjithë konteinerëve dhe angazhoi një sërë institucionesh për kryerjen e praktikave të nevojshme për administrimin e tyre dhe analizat e mostrave.

Tv Klan