Konteinerët me mbetje të konsideruara të rrezikshme kanë mbërritur sot në Portin e Durrësit.
Bëhet fjalë për 102 konteinerë që muajin Korrik u nisën nga Durrësi drejt Tajlandës, por kjo e fundit ndaloi mbërritjen aty për shkak të mbetjeve dhe e ktheu pas ngarkesën.
Tashmë kjo ngarkesë me këto mbetje po kthehet në vendin e origjinës nga ku u nis. Anija “Moliva” po qëndron 1.5 milje larg Portit të Durrësit, në radën e portit, dhe do të jetë e ankoruar aty për një kohë të pacaktuar.
Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore.
Por ndërsa hetimet duhet të nxjerrin në pah të vërtetën dhe përgjegjësitë në rast të shkeljeve, Ministria e Transporteve dhe ajo e Mjedisit kanë theksuar se në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.
/tvklan.al