Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha thotë se që prej nxjerrjes së urdhrit të Prokurorisë së Durrësit për konteinerët me mbetje të dyshuara të rrezikshme, po punohet për të gjetur vendin e përshtatshëm dhe për të krijuar infrastrukturën e duhur për monitorim me kamera.

Në replikën e tij në Parlament me deputeten demokrate Flutura Açka, ministri Hoxha theksoi se urdhri i Prokurorisë së Durrësit do të zbatohet plotësisht.

“Urdhri i Prokurorisë së Durrësit ka dalë në datën 27 Tetor 2024. Kjo ka qenë ditë e dielë. Ne jemi koordinuar plotësisht për zbatimin e këtij urdhri dhe të siguroj që nuk jemi në periudha kur urdhrat e Prokurorisë nuk zbatohen. Në bashkëpunim me doganën, policinë dhe agjencitë ligjzbatuese po krijohet infrastruktura e përshtatshme e vendosjes së këtyre konteinerëve në hapësira publike që do të kontrollohen dhe monitorohen nga policia. Nuk janë disa kuti kartoni që ne mund t’i fshehim. Këto konteinerë do vendosen në një hapësirë që do monitorohen me punonjës policie. Urdhri i Prokurorisë është 100% i ekzekutueshëm dhe ne po marrim masat”, tha ministri Hoxha.

Anija me konteinerë me mbetje po qëndron në radë, rreth 1.5 milje larg Portit të Durrësit. Prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestrimin e konteinerëve dhe kërkon vendosjen e tyre në një hapësirë të sigurt ku do të monitorohen me kamera.

/tvklan.al