Prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestrimin e 102 konteinerëve me mbetje të dyshuara të rrezikshme që mbërritën mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit. Anija po qëndron në radë, rreth 1.5 milje larg portit.

Vendimi i Prokurorisë së Durrësit mban datën 26 Tetor 2024 dhe urdhëron që konteinerët e sekuestruar të vendosen në një vend të sigurt sa i përket sigurisë mjedisore.

Po kështu, vendi ku do të ruhen konteinerët duhet të jetë i monitoruar me kamera si një element sigurie.

Prokuroria e Durrësit urdhëron gjithashtu që konteinerët nuk duhet të hapen pa prezencën e prokurorëve dhe i gjithë procesi duhet të jetë i monitoruar me kamera.

Anija “Moliva” mbërriti mëngjesin e sotëm në Durrës, pasi këto konteinerë me mbetje kishin për destinacion Tajlandën, por ky shtet i ktheu pas për shkak të dyshimeve që mund të përmbajnë mbetje të rrezikshme.

Në këtë mënyrë, anija u kthye në Shqipëri, pikërisht në vendin e origjinës nga ku u nis.

/tvklan.al