Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka vizituar fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik.

Në prag të Vitit të Ri për këta fëmijë u organizua një festë në hollin e këtij spitali ku dhe u shpërndanë dhurata të përgatitura nga AMC.

Ministrja Godo shprehu kënaqësinë që është pranë këtyre fëmijëve në ditët e veçanta, si dhe iu uroi shërim të shpejtë e gëzuar.

Anila Godo: “Është vendi më i gëzuar ku mund të festoj Vitin e Ri për mua. Është vendi që më mbush me emocione. Me emocione vërtet pozitive iu uroj shëndet, shumë shëndet të tërë fëmijëve që janë shtruar këtu. Ju uroj punë të mbarë tërë personelit. Janë të tërë tepër të dashur për mua dhe ndoshta urimet që themi janë në të njëjtën kohë dhe një premtim që të gjithë ne bëjmë që këtë vit të bëjmë më të mirën, të përkushtohemi në mënyrën më maksimale që këta fëmijët tanë shumë të dashur të kenë sa më shumë shëndet.”

Pas festës në hollin e spitalit Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, vizitoi dhe fëmijët e shtruar në repartin e kirurgjisë, si dhe në pavijonet e tjera, të cilët nuk mundën të ndiqnin festën. Edhe për to u shpërndanë dhurata./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami