Sot përcaktohet fati i mandatit të 34 të deputetit për Tiranën. KQZ pritet të marrë në shqyrtim dy kërkesat ankimore të PS dhe PDIU për rezultatin e Tiranës.
Të dyja kërkesat kanë për objekt hapjen e një numri të caktuar kutish dhe rinumërimin e votave. Kështu socialistet kërkojnë hapjen dhe rinumërimin e votave në 9 kuti të Tiranës, ku ata pretendojnë se PDIU-së i janë shënuar më shumë vota se sa ka marrë realisht.
Këto pretendime, sipas PS, vërtetohen edhe nga pamjet filmike, por edhe nga vlerësimet e bëra nga vëzhguesit në vendet e numërimit të votave.
Ndërsa PDIU kërkon hapjen dhe rinumërimin e votave në 29 kuti të Tiranës. Sipas saj, në këto kuti gjenden më shumë vota nga sa i janë shënuar kësaj force politike në tabelën e rezultateve të Tiranës. Këto vota do të sillnin, sipas PDIU, kapërcimin e pragut elektoral në Tiranë për ketë subjekt politik. Sipas përllogaritjes PDIU-së i duhen edhe 38 vota për të arritur pragun prej 3% në Tiranë, çka do t’i jepte mandatin e deputetit kreut të saj Shpëtim Idrizi.
Këto dy ankesa nga PS dhe PDIU, së bashku me animimin e PD për rezultatin e Beratit, ishin të vetmet që u paraqitën nga subjektet politike në KQZ. Afati për kontestimet e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit në KQZ është mbyllur ditën e djeshme./ABCNews