Policia e Veronës ka arrestua në Cerea dy shqiptarë dhe një tunizian pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Atyre iu sekuestruan 2.5 kilogramë heroinë e pastër. Gjithashtu tre personat kishin krijuar një fabrikë të vërtetë droge në apartamentin ku jetonin.
Kjo pasi atje u gjetën mjete të ndryshme hidraulike që shërbenin për presimin e drogës, makina me vakum, mjetet që shërbenin për ndarjen e heroinës si dhe kallëpe speciale për paketimin e drogës.
I pari që ra në pranga ishte tuniziani. Ai u ndoq nga agjentët dhe kur e kuptoi këtë u mundua të arratisej, por u ndalua menjëherë. Në makinë ai kishte 500 gramë heroinë.
Pas kësaj, autoritetet ndoqën gjurmët e tij se ku kishte shkuar dhe kë kishte takuar. Kështu ata ranë në dijeni të apartamentit që ishte kthyer në një fabrikë të vërtetë për lëndët narkotike. Aty u arrestuan edhe shqiptarët.
Përveç të gjitha materialeve që u sekuestruan, në dorën e policëve ranë edhe 6000 euro, dy makina, disa telefonë dhe një sasi e vogël marijuane./tvklan.al