Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të caktuara nga Shkalla e Parë më 23 Tetor 2024.
Kështu, Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në arrest në burg, ndërsa edhe për Monika Kryemadhin qëndron masa detyrim paraqitje. Ilir Meta kishte kërkuar lirimin nga paraburgimi.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K”, thuhet në vendimin e Apelit të Posaçëm.
Pas daljes nga gjykata që zgjati disa orë, deputetja Monika Kryemadhi deklaroi se argumentimet e prokurorëve të SPAK janë të bazuara në falsifikime.
“Metodologjia, profesionalizmi i prokurorëve të SPAK ishte në nivelin e një studenti të vitit të parë të juridikut. Argumentimet që ngrinin ishin qesharake dhe të bazuara në falsifikim. Rezultojnë falsifikime me keqdashje nga prokuroria. Analiza financiare e pa bërë nga SPAK rezultonte që të falsifikohej me keqdashje deklarimet e pasurive tona. Rezulton që edhe sa i përket letërporosive të ardhua nga SHBA ku përsipëri bie që të ketë një deklaratë të rreme për të cilën ligji federal i SHBA i dënon me 5 vjet burg. Prokurorët ishin të papërgatitur në këtë gjë. Më pas kaluan në artikujt e gazetave. Sot për herë të parë kam përmendur që për shkak të politikës që çuditërisht me emërimin e një prokurori të ri në SPAK, në Portin e Durrësit nuk është ndaluar asnjë konteiner me kokainë. Porti i Durrësit, që ka qenë një nga premtimet kryesore të kryeprokurorit të SPAK, sot drejton Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe SPAK-un. Beteja është ballë për ballë dhe do përballemi me të gjitha sistemet e Shqipërisë dhe më pas në ato ndërkombëtare”, u shpreh Monika Kryemadhi.
/tvklan.al