Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të caktuara nga Shkalla e Parë më 23 Tetor 2024.

Pas 7 orësh seancë u vendos, që Meta të vazhdojë të qëndrojë në arrest në burg dhe Kryemadhi do të hetohet nën masën detyrim paraqitje.

Për avokatin e Ilir Metës, ky ishte një vendim i pritshëm duke e akuzuar organet e drejtësisë të kapura nga qeveria.

Genc Gjokutaj, avokat i Ilir Metës: Gjykata e Apelit është si GJKKO në mos më keq. Vendimet e dy gjykatave janë të paarsyetuara. Sistemi i drejtësisë është sorosifikuar. Z. Meta atë ditë ka qenë në Kosovë. Meta e ka ditur procesin dhe nuk mund të intimidojë dhe as të prishë provat. Nuk mund të ecet me këtë formë, që gjithë opozita në burg dhe këta “korrin” suksese çdo ditë.

Me e ashpër me vendimin e Apelit ishtë zonja Kryemadhi. Ajo akuzoi SPAK për falsifikime.

Monika Kryemadhi, deputete: Prokurorët ishin totalisht të papërgatitur përballë fakteve dhe argumenteve që unë kam parë në fashikuj dhe të letrave të porosive që kanë ardhur nga SHBA, Çekia dhe Austria. Metodologjia ishte nën nivelin e një studenti të vitit të parë të juridik. Të 34 fashikujt rezultojnë me falsifikime me keqdashje nga ana e SPAK për të dy çështjet, përfshi edhe CEZ/DIA, përfshi edhe ato të pasurive tona.

Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Të njëjtat akuza rendojnë edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Klan News