Zinedine Zidane rikthehet sërish në skenë. Emri i francezit po lakohet për të marrë drejtimin e kombëtares së Arabisë Saudite. Që prej ndarjes nga Real Madrid në Qershorin e vitit 2021 nuk është kthyer në stol, pavarësisht thashethemeve të shumta që lidhen me shumë klube e kombëtare.
Arabia Saudite është në prag të ndarjes me trajnerin Roberto Mancini pas një periudhe zhgënjyese që përfshinte një barazim pa gola kundër Bahreinit dhe një humbje nga Japonia në kualifikueset e Kupën e Botës 2026.
Shanset e vendit të Gjirit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës së ardhshme janë zvogëluar në mënyrë drastike dhe Zidane shihet si shpresë. Mbetet e pasigurt nëse ish-fituesi i Topit të Artë do ta pranonte një propozim të tillë, me gjasë shumë joshëse nga pikëpamja financiare.
Emri i Zidane po lakohet prej kohësh edhe te Manchester United, skuadër që këtë sezon po përjeton një moment negativ. Roberto Mancini ka kontratë me arabët deri në vitin 2027, nga ku përfiton rreth 25 milionë Euro në sezon.
Klan News