Pas Bashkimit Evropian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë serish një mesazh të fortë duke i bërë thirrje opozitës të heqë dorë nga bojkoti.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha se gjatë takimit me Stjuart Xhons, zv/asistenti i Parë i Sekretarit të Shtetit, u bë e qartë se SHBA nuk mbështesin këtë qëndrim të opozitës.
Arben Imami: “Fola dje në Departamentin e Shtetit dhe mu bë e ditur, mu bë e qartë që askush nuk ka simpati për bojkotin, askush nuk mbështet bojkotin dhe që Shqipëria posaçërisht që tani po hyn në disa momente kritike të integrimit evropian duke filluar që nga çështja e vizave do të kërkonte që bojkoti, një praktikë tashmë pa sens, e vjetruar dhe jashtë kohe të mos gjente vend.”
Në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Imami u prit në një takim nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.
Në takimin dypalësh, çështje të rëndësishme që u diskutuan ishin angazhimi i Shqipërisë në Afganistan, zhvillimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura, demilitarizimi dhe asgjësimi i municioneve dhe shumë çështje të tjera. Imami theksoi se u bisedua edhe lidhur me rritjen e kapaciteteve operacionale të trupave shqiptare.
Arben Imami: “Neve vitin tjetër do të ngremë nivelin operacional të trupave tona në Afganistan. Kemi dy programe të rëndësishme. Një e kemi me shtetin e Nju Xhersit, me gardën nacionale të shtetit të Nju Xhersit për të krijuar një OMLT, që është një grup trajnimi, i cili do të jetë i përbashkët, do të trajnohen së bashku para se të shkojnë dhe do të punojnë së bashku atje. Kjo rrit shumë ndërveprueshmërinë midis dy ushtrive tona”.
Ministri i Mbrojtjes zhvilloi takime edhe me përfaqësues të lartë të Forcave të Armatosura të SHBA-së./tvklan.al