Arben Imami: “Shqipëria është e angazhuar në Afganistanit. Iu është përgjigjur thirrjes së NATO-s, të aleancës, edhe sigurisht edhe të Shteteve të Bashkuara që janë lideri i aleancës. Ne e kemi rritur praninë tonë gjatë këtij viti me një kompani, e cila u gjend atje për zgjedhjet, e cila do të vazhdojë të qëndrojë atje. Ne do të çojmë shumë shpejt në parlament, kjo është miratuar dhe në parlament, gjë që ia bëra të ditur dhe sekretarit Gates, një ligj për dërgimin e një skuadre mjekësore atje në Afganistan që do të punojë së bashku me turqit. Do të rritet numri sepse do të çohen edhe disa oficerë për të punuar në shtabet, por ç’është më e rëndësishmja neve vitin tjetër do të ngremë nivelin operacional të trupave tona në Afganistan. Kemi dy programe të rëndësishme. Një e kemi me shtetin e Nju Xhersit, me gardën nacionale të shtetit të Nju Xhersit për të krijuar një OMLT, që është një grup trajnimi, i cili do të jetë i përbashkët, do të trajnohen së bashku para se të shkojnë dhe do të punojnë së bashku atje. Kjo rrit shumë ndërveprueshmërinë midis dy ushtrive tona edhe përgatit ushtrinë tonë që të jetë e gatshme për të arritur kriteret edhe standardet e përbashkëta të forcave të NATO-s dhe ç’është më e rëndësishme gjatë vitit të ardhshëm ne do të vazhdojmë trajnimin me një grup të forcave speciale, të cilat do të punojnë dhe do të dalin në operacione manovre së bashku me marinsat amerikan. Dje sekretari Gates ishte jashtëzakonisht i kënaqur dhe na falënderoi sepse Shqipëria vërtet është e gatshme dhe të punojë dhe të paguajë për sigurinë që NATO i ofron kudo që ndodhet NATO, kudo që NATO lufton për lirinë edhe për stabilitetin global. Unë ia premtova edhe një herë këtë sigurisht zotit Gates, por ju siguroj që pata falënderimet më të përzemërta për këtë politikë të Shqipërisë. Nuk kam folur këtu, po fola dje në Departamentin e Shtetit dhe mu bë e ditur, mu bë e qartë që askush nuk ka simpati për bojkotin, askush nuk mbështet bojkotin dhe që Shqipëria posaçërisht tashti që po hyn në disa momente kritike të integrimit evropian duke filluar që nga çështja e vizave do të kërkonte që bojkoti, një praktikë tashmë pa sens, e vjetruar dhe jashtë  kohe të mos gjente vend. Besoj që mesazhi ka qenë i qartë në Tiranë edhe nga Bashkimi Evropian. Nuk shoh asnjë element, asnjë mundësi tjetër përveçse pjesëmarrjes në rrugë institucionale edhe kontributit që të dyja palët edhe shumica, edhe opozita duhet të japin për integrimin e Shqipërisë në Evropë.”/tvklan.al