Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ish-ministrat e financave Arben Malaj dhe Anastas Angjeli kanë dëshmuar sot në komisionin e fajdeve për periudhën 97-99, për transparencën e bërë me firmat rentiere. Ulja e kostos së shitjes së aseteve të firmave në këmbim të përshpejtimit në kohë të procesit, si dhe transparenca me të cilën është shoqëruar ai, përkundrejt kreditorëve nga Malaj, kreu i financave për periudhën 97-98 është justifikuar me:
Arben Malaj:- “Ajo që nuk kemi shkelur ne gjithë rishkrimin e kontratës është ballafaqimi midis atij që do shiste dhe atij që do të blinte. Ky është parimi bazë i maksimizimit. Ndërsa maksimizim për shtyrjen në kohë dhe për zgjatje pa afat të procesit të shpërbërjes, natyrshëm nuk mund të kishte. Ky qëndrim është i qartë dhe është në funksion të zhvillimit pozitiv të vendit”.
Ndërsa Anastas Angjeli ka shpjeguar, se shtyrja e afatit të punës menaxhuese të kompanisë “Deloitte and Tush” me tre muaj, ka sjellë rezultate shumën prej 6 milion dollarësh.
Anastas Angjeli:- “Unë dua të informojë komisionin, që me këtë shtesë kontrate, u bë realizimi i shumicës së shitjeve të objekteve, ose më mirë t’ju them, nga shitja e realizuar në ato tre muaj janë mbledhur 6 milion dollarë, ndërkohë që për 1 vit e 6 muaj, ishin realizuar 980 mijë dollarë”.
Prania e Farudin Arapit në komision, ka tërhequr vëmendjen e anëtareve të djathtë të tij, të cilët i kanë kërkuar Arapit të mos ndërhyjë në përgjigjet e dëshmitarëve. Ndërsa procesi i dëshmitarëve në komision, vijon me administratorët e firmave përkatëse./tvklan.al