I ftuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Akademik, Profesor Doktor Anastas Angjeli zhvilloi një bisedë me gazetaren Monika Stafa, me fokus ekonominë e Shqipërisë të 30 viteve të fundit. Zhvillime ekonomike të cilat akademik Angjeli i ka përmbledhur në 8 botime voluminoze.
Anastas Angjeli: Është një përgjegjësi jo vetëm e imja, e të gjithë atyre që kanë qenë të angazhuar në këtë tranzicion, të lënë një gjurmë historike, një gjurmë shkencore të zhvillimit ekonomik të vendit. Unë zgjodha rrugën e një ditari me shënimet, diskutimet, problematikat që kisha ngritur në udhëtimin ekonomik të Shqipërisë. Mendova se kjo ishte rruga më e mirë e imja për të sjellë mendimin tim, por edhe për t’i dhënë lexuesit fazat kronologjike të tranzicionit. Këtë e quajta “Ditari i tranzicionit”.
Kjo kolanë, e cila ka pasqyruar një begati diturish, në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, vjen pak muaj, pasi profesori mori çmimin “Eqerem Çabej”, çmimi më i rëndësishëm shkencor që akordohet nga Akademia e Shkencave. Akademik Angjeli është intelektual i çmuar, ekonomist i përmasave evropiane, themelues dhe President i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Klan News